Grupi kriminal i Igli Kamberit, GJKKO ndryshon masën vetëm për njërin prej anëtarëve

Në GJKKO është shqyrtuar sot verifikimi i masave të sigurisë për të arrestuarit e operacionit të përbashkët të SPAK dhe antimafias së Barit, lidhur me çështjen e pastrimit të parave.

28.05.2026. 13:28

Grupi kriminal i Igli Kamberit, GJKKO ndryshon masën vetëm për njërin prej anëtarëve

Në GJKKO është shqyrtuar sot verifikimi i masave të sigurisë për të arrestuarit e operacionit të përbashkët të SPAK dhe antimafias së Barit, lidhur me çështjen e pastrimit të parave. 

Për Edi Brahaj, Ergys Kastrati dhe Saimir Pirra u la në fuqi masa e arrestit me burg, ndërsa për Dritan Buzi në arrest shtëpie. E vetmja masë që ndryshoi nga arrest me burg në detyrim paraqitje është ajo për Lefter Nelajn.

Dy ditë më parë, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Bari, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokuroria Antimafia e Barit prezantuan rezultatet e operacionit.

Nga ana tjetër, prokurori i Barit deklaroi se hetimet kanë zbuluar lidhje të forta mes grupeve mafioze në të dy vendet, përfshirë edhe raste të rënda kriminale si vrasje në rajonin e Pulias. Ai vlerësoi bashkëpunimin me SPAK si “shumë të suksesshëm” dhe theksoi se rrjetet kriminale kanë shtrirje ndërkombëtare, por po goditen përmes hetimeve të përbashkëta.

SPAK ka vënë në sekuestro një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme që dyshohet se i përkasin familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të dy figurave kryesore të grupit kriminal, Igli Kamberi dhe Ergys Kastrati.

Hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me Antimafian e Barit, lidhen me një rrjet të dyshuar të pastrimit të parave me burim nga trafiku i drogës, ku fondet dyshohet se transferoheshin nga Italia drejt Shqipërisë.

Në total, autoritetet kanë sekuestruar 8 automjete, 10 llogari bankare, 4 shoqëri tregtare dhe rreth 680.595 euro cash. Këto para janë kapur më herët në pikën kufitare të Muriqanit në vitin 2024, gjatë një tentative për t’i futur në Shqipëri nga Mali i Zi.

Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihet edhe biznesi i Igli Kamberit në fushën e kateringut dhe shërbimeve ushqimore me seli në Kashar. Gjithashtu, janë bllokuar llogari bankare të bashkëshortes së tij, Nevila Kamberi, dhe nënës së saj Dituri Buzi, ndërsa babait të saj, Fatos Buzi, i është sekuestruar një biznes bujqësor me aktivitet në prodhimin e frutave dhe perimeve.

Autoritetet theksojnë se hetimet vijojnë për të identifikuar të gjitha asetet dhe lidhjet e rrjetit kriminal në Shqipëri dhe Itali.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)