Goditje ndaj krimit të organizuar, tre ekstradime mes Shqipërisë, Italisë dhe Britanisë

Një nga të ekstraduarit pjesë e një grupi që kishte trafikuar në Itali 932 kg kokainë.

28.05.2026. 12:19

Goditje ndaj krimit të organizuar, tre ekstradime mes Shqipërisë, Italisë dhe Britanisë

Autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur disa zhvillime të rëndësishme në bashkëpunim ndërkombëtar për ekstradime dhe ndjekje penale të personave të kërkuar për vepra të rënda kriminale.

Në Shqipëri është ekstraduar nga Italia shtetasi Sueld Elezi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” për disa akuza të rënda, përfshirë trafikimin e narkotikëve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se në vitin 2020 ka trafikuar 2 kg kokainë në Itali, ndërsa në vitin 2021 akuzohet se ka qenë i përfshirë në trafikun e rreth 932 kg kokainë, gjithashtu në bashkëpunim me persona të tjerë.

Ndërkohë, nga Shqipëria është ekstraduar drejt Gjermanisë shtetasi Roy Garin, 43 vjeç, me banim në Izrael. Ai kërkohej nga autoritetet gjermane për veprat penale “organizatë kriminale” dhe “mashtrim me shuma të mëdha”, në 33 raste të ndryshme.

Po ashtu, një tjetër ekstradim është kryer drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku është dërguar shtetasi Altin Shehu, 34 vjeç. Ai kërkohej nga Gjykata e Kentit të Veriut për veprën penale të vrasjes dhe ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg”.

Autoritetet shqiptare theksojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe personave të kërkuar do të vijojë në mënyrë të vazhdueshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)