Nis 'Rilindja 2.0', Demo: Autobusë elektrikë për bashkitë, muze lokalë dhe “smart city”

Qeveria shqiptare ka prezantuar programin e ri “Rilindje 2.0”, i cili synon modernizimin e qyteteve përmes investimeve në transportin publik, infrastrukturë urbane dhe zhvillim lokal. Ministri Ervin Demo, bëri të ditur se synohet pajisja e bashkive autobusë elektrikë për transportin publik.

28.05.2026. 13:14

Nis 'Rilindja 2.0', Demo: Autobusë elektrikë për bashkitë, muze lokalë dhe “smart city”

Transporti publik urban në Shqipëri pritet të hyjë në një fazë të re transformimi. Qeveria shqiptare ka paralajmëruar nisjen e një projekti kombëtar për vendosjen e autobusëve elektrikë në qytete, si pjesë e programit të ri “Rilindje 2.0”, i cili synon modernizimin e infrastrukturës urbane dhe zhvillimin lokal.

Lajmi u bë publik nga ministri i Shtetit për Qeverisjen Lokale, Ervin Demo, gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ku u miratuan 11 objektiva strategjikë të programit të ri.

Sipas ministrit, bashkia e parë pilot që do të përfitojë nga projekti i transportit elektrik do të përzgjidhet brenda tremujorit të fundit të këtij viti.

“Transporti urban publik është një nga prioritetet tona kryesore. Jemi duke trajtuar një numër të konsiderueshëm bashkish për t’i pajisur me autobusë elektrikë. Bashkia e parë pilot do të jetë brenda tremujorit të fundit të vitit. Synimi ynë është të krijojmë një transport urban modern, më pak ndotës dhe më funksional për qytetarët”, deklaroi Demo.

Ministri bëri me dije se programi “Rilindje 2.0” nuk do të fokusohet vetëm te transporti, por edhe te rigjenerimi urban, zhvillimi ekonomik lokal dhe përmirësimi i shërbimeve publike në të gjithë territorin.

“Do të forcojmë identitetin lokal. Ky program do të fokusohet në ndërtimin e muzeve lokale në qytete të ndryshme të vendit. Përmirësimi i aksesit në zonat urbane është një tjetër prioritet. Po fokusohemi në ndërtimin e parkimeve për akses të qëndrueshëm në qytete dhe deri tani janë identifikuar rreth 160 mijë metra katrorë sipërfaqe në 12 bashki”, u shpreh ai.

Një tjetër shtyllë e projektit, sipas Demos, do të jetë rikthimi në funksion i ish-zonave industriale dhe fabrikave të braktisura, duke i kthyer ato në hapësira komunitare dhe zhvillimi ekonomik.

“Objektivi i tretë është rigjenerimi i ish-fabrikave dhe hapësirave industriale në asete për komunitetin. Kemi shumë ish-fabrika të privatizuara apo në pronësi shtetërore që përbëjnë potencial ekonomik lokal dhe duhet t’u rikthehen qytetarëve”, tha ministri.

Ai theksoi se programi do të përfshijë gjithashtu investime në ambiente sportive, menaxhimin e mbetjeve, inovacionin dhe konceptin e “smart city”.

“Në fokus janë edhe shërbimet parësore, si ambientet sportive dhe rekreative. Do të rrisim standardet e infrastrukturës publike për të krijuar potencial të ri zhvillimi. Nxitja e inovacionit dhe startup-eve për të rinjtë është e domosdoshme. Startup-et duhet të shtrihen në të gjithë territorin. Po punojmë me bashkitë edhe për menaxhimin e mbetjeve dhe përmbushjen e standardeve europiane, duke filluar nga riciklimi”, deklaroi Demo.

Sipas tij, pjesë e objektivave janë edhe forcimi i kapaciteteve të bashkive për mirëmbajtjen e aseteve publike, parandalimi i përmbytjeve dhe zhvillimi i sistemeve të vaditjes.

“Synojmë gjithashtu zhvillimin e qyteteve inteligjente përmes konceptit ‘smart city’. Kemi miratuar dy bashki prioritare, Gjirokastrën dhe Fierin, ndërsa Paketa e Maleve mbetet një mundësi shumë e rëndësishme për zhvillimin lokal dhe rural”, përfundoi ministri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)