Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për regjisorin Petri Bozdo, pas një aksidenti të rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një fëmije 7 vjeç në aksin Elbasan–Librazhd.
Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës pranë fshatit Mengël, në një zonë ku rruga nacionale kalon shumë afër banesave dhe shkollës 9-vjeçare të zonës. Viktima, 7-vjeçari A. Samurri, është përplasur nga automjeti i drejtuar nga Bozdo, duke humbur jetën në vend.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë deklaruar se fëmija ka dalë në rrugë pranë shkollës, duke i shpëtuar vëmendjes së familjarëve në atë moment, çka ka sjellë aksidentin fatal.
Gjatë seancës gjyqësore, i pandehuri nuk ka dhënë deklarime, ndërsa mbrojtja e tij ka paraqitur argumentet përkatëse kundër masës së kërkuar nga Prokuroria. Megjithatë, trupi gjykues ka pranuar kërkesën e akuzës dhe ka vendosur lënien e tij në paraburgim.
Në deklarimin e parë në polici, Bozdo ka thënë se nuk lëvizte me shpejtësi të lartë dhe se kishte kaluar një kufizues shpejtësie pranë shkollës. Ai ka shtuar gjithashtu se kishte goditur diçka papritur dhe se vetëm më pas kishte kuptuar se bëhej fjalë për një fëmijë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)