Pesë persona janë arrestuar në jug të Anglisë, pasi autoritetet britanike ndaluan një jaht që po transportonte emigrantë në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Operacioni u krye në Chichester Marina, ku Agjencia Kombëtare e Krimit e Britanisë ndërhyri së bashku me Forcat Kufitare, sapo jahti mbërriti në port.
Në bord ndodheshin 7 persona, të gjithë shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se po futeshin në mënyrë të paligjshme në vend.
Autoritetet arrestuan dy anëtarë të ekuipazhit: një shtetas britanik 42 vjeç dhe një shtetas shqiptar 25 vjeç, të dyshuar për ndihmë në emigracionin e paligjshëm.
Gjithashtu u arrestuan edhe tre persona të tjerë, një britanik 38 vjeç dhe dy shqiptarë 24 dhe 32 vjeç, të dyshuar si pjesë e një grupi që priste mbërritjen e jahtit në tokë.
3 prej të arrestuarve janë liruar përkohësisht, ndërsa dy shtetasit shqiptarë mbeten në paraburgim për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Shtatë personat e gjetur në jaht do të trajtohen nga autoritetet e imigracionit britanik.
Ministri britanik për Sigurinë Kufitare dhe Azilin tha se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të goditur grupet kriminale që organizojnë trafikimin e emigrantëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)