Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se shumica e aleatëve të NATO nuk janë të gatshëm të përfshihen në operacionin ushtarak kundër Iranit. Në një postim të gjatë në rrjetin social Truth Social, ai u shpreh se këto vende “nuk duan të përfshihen” në ndërhyrjen ushtarake në Lindjen e Mesme.
Trump theksoi se nuk është i befasuar nga ky qëndrim dhe kritikoi aleancën, duke e cilësuar NATO-n si një “rrugë njëkahëshe”. Ai shkoi edhe më tej, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për ndihmën e askujt.
“Për shkak të suksesit tonë ushtarak, ne nuk kemi më nevojë dhe as nuk e dëshirojmë ndihmën e vendeve të NATO-s, në fakt, nuk na është dashur kurrë,” u shpreh ai. Sipas tij, e njëjta gjë vlen edhe për vende si Japonia, Australia apo Koreja e Jugut.
Këto deklarata vijnë vetëm pak kohë pasi vetë Trump kishte kërkuar mbështetjen e aleatëve për të ndihmuar në rihapjen e ngushticës strategjike të Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Nga ana tjetër, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij po synon dobësimin e regjimit iranian me qëllim që t’i japë popullit iranian mundësinë për ta rrëzuar atë.
“Do të kërkojë kohë dhe nuk do të jetë e lehtë, por nëse vazhdojmë, do t’u japim mundësinë të marrin fatin e tyre në duart e tyre,” u shpreh Netanyahu në një video-mesazh.
Ai pretendoi gjithashtu se një nga figurat kryesore të regjimit, Ali Larijani, është vrarë, duke e cilësuar atë si drejtues të një “grupi gangsterësh që drejton Iranin”. Megjithatë, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar ende nëse Larijani është vrarë apo plagosur.
Më herët, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, deklaroi se “iranianët janë më të sigurt” pa Larijanin dhe komandantin e Basij-it, Gholamreza Soleimani, për të cilin Izraeli gjithashtu pretendon se është eliminuar.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, bëri të ditur se ushtria është urdhëruar të vazhdojë goditjet dhe të ndjekë drejtuesit e lartë të regjimit iranian.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)