Lufta mes SHBA-së dhe Iranit ka hyrë në ditën e saj të 38-të, mes tensioneve në rritje dhe zhvillimeve të reja dramatike në terren dhe në frontin diplomatik. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Teheranit, duke kërcënuar publikisht se do të godasë termocentralet dhe urat iraniane nëse nuk rihapet ngushtica strategjike e Hormuzit. Në një postim, ai paralajmëroi se Irani do të përballet me “pasoja të rënda” nëse bllokada vazhdon.
Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar kategorikisht kërkesat amerikane. Marina iraniane deklaron se ngushtica “nuk do të kthehet më në gjendjen e mëparshme”, duke e konsideruar atë si levën kryesore strategjike ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj. Sipas analistëve, kontrolli i kësaj rruge jetike për transportin e naftës është arma më e fortë e Teheranit në këtë konflikt.
Në terren, situata mbetet e tensionuar. Sulmet iraniane ndaj objektivave në Gjirin Persik kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, përfshirë centrale energjetike në Kuvajt dhe incidente në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, Britania e Madhe ka konfirmuar rrëzimin e disa dronëve iranianë gjatë operacioneve mbrojtëse.
Një nga zhvillimet më të bujshme është operacioni i shpëtimit të një piloti amerikan nga territori iranian, pas rrëzimit të një avioni luftarak F-15. Sipas raportimeve, piloti i plagosur arriti të mbijetojë për më shumë se 24 orë duke u fshehur në një zonë malore dhe duke shmangur kapjen. Operacioni i shpëtimit u shoqërua me dezinformim nga CIA për të hutuar forcat iraniane. Megjithatë, Irani pretendon se ka goditur disa avionë amerikanë gjatë këtij operacioni, pretendim që mbetet i pakonfirmuar plotësisht.
Ndërkohë, përplasjet kanë sjellë viktima edhe në rajon. Në qytetin Haifa në Izrael, dy persona kanë humbur jetën pas një sulmi me raketë iraniane mbi një ndërtesë banimi, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të zhdukurit.
Në këtë klimë tensioni, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përgëzuar SHBA-në për operacionin e shpëtimit të pilotit, duke e cilësuar atë “të realizuar në mënyrë perfekte”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)