Kina ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj 20 kompanive amerikane të industrisë së mbrojtjes, përfshirë edhe një degë të gjigantit Boeing. Vendimi ka ardhur si reagim ndaj shitjes së armëve nga Shtetet e Bashkuara drejt Tajvanit. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet kineze.
Sipas Pekinit, këto shitje shkelin parimin e “Një Kinë” dhe dëmtojnë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të vendit. Shtetet e Bashkuara janë prej vitesh furnizuesi kryesor i armëve për Tajvanin, ishull demokratik, të cilin Kina e konsideron pjesë të territorit të saj.
Autoritetet kineze kanë theksuar se nuk përjashtojnë përdorimin e forcës për ta rikthyer Tajvanin nën kontrollin e tyre dhe kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa të mëtejshme kundër çdo veprimi që, sipas tyre, nxit pavarësinë e ishullit. Sanksionet e reja pritet të tensionojnë edhe më tej marrëdhëniet e brishta mes Pekinit dhe Uashingtonit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)