Kina nuk ndalet, vijon ekzekutimet me vdekje të grupeve mafioze

Kina ka ekzekutuar katër drejtues kryesorë të familjes kriminale Bai, një klan me bazë në Mianmar, i njohur për drejtimin e qendrave masive të mashtrimit online.

Burimi: Daily Mail

02.02.2026. 20:27

Kina nuk ndalet, vijon ekzekutimet me vdekje të grupeve mafioze

Kina ka ekzekutuar katër drejtues kryesorë të familjes kriminale Bai, një klan me bazë në Mianmar, i njohur për drejtimin e qendrave masive të mashtrimit online. Sipas Gjykatës së Shenzhenit, ata u shpallën fajtorë për mashtrim, vrasje me dashje, plagosje të rëndë, rrëmbim, zhvatje dhe prostitucion. Njëri prej tyre, Bai Yingcang, akuzohej gjithashtu për prodhim dhe trafikim të rreth 11 tonëve metamfetaminë.

Familja Bai drejtonte 41 “qendra mashtrimi” në rajonin Kokang në veri të Mianmarit, ku aktivitetet e tyre çuan në vdekjen e gjashtë shtetasve kinezë, vetëvrasjen e një personi dhe plagosjen e shumë të tjerëve. Këto komplekse përfshinin edhe kazino ilegale dhe mbaheshin nën kontroll nga një milici private. Autoritetet thanë se punëtorët torturoheshin dhe rriheshin rregullisht.

Dënimet me vdekje u shpallën në nëntor. Një figurë tjetër kyçe, Bai Suocheng, i konsideruar kreu i grupit, vdiq nga sëmundja pas shpalljes së vendimit. Ekzekutimet vijnë vetëm pak ditë pas dënimit me vdekje të 11 anëtarëve të familjes rivale Ming, e njohur për mashtrime dhe skema me kriptomonedha që u morën viktimave miliarda juanë.

Mashtrimet kibernetike janë përhapur në gjithë Azinë Juglindore dhe më gjerë, duke prekur edhe qytetarë në Europë dhe SHBA. Kina ka rritur bashkëpunimin rajonal për t’i luftuar këto rrjete, ndërsa OKB paralajmëron se industria e mashtrimeve online po shtrihet globalisht.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)