Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë. Tre motra të moshës 16, 14 dhe 12 vjeçe kanë humbur jetën pasi janë hedhur nga kati i nëntë i pallatit ku jetonin me prindërit e tyre. Rasti është regjistruar në qytetin e Ghaziabad.
Sipas mediave ndërkombëtare, vajzat dyshohet se ishin të varura nga një lojë online dhe së fundmi prindërit u kishin ndaluar përdorimin e telefonit celular. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa po shqyrtohet edhe pista e një sfide ekstreme online. Sipas të dhënave paraprake, vajzat kishin lënë pas një letër lamtumire prej tetë faqesh.
I përlotur, babai i tyre ka deklaruar për mediat vendase se vajzat ishin të fiksuara pas kulturës koreane dhe në letër kishin shkruar: “Babi, na fal. Koreja është jeta jonë, dashuria jonë më e madhe. Çfarëdo që të thuash, ne nuk mund të heqim dorë prej saj. Prandaj po i japim fund jetës sonë”.
Në letër, vajzat e vogla shkruanin gjithashtu se prindërit ishin përpjekur t’i largonin nga ajo që e quanin “dashuria për koreanët”, por me sa duket kjo nuk kishte qenë e mundur. Zv.komisioneri i policisë ka deklaruar se ndalimi i përdorimit të telefonit në ditët e fundit duket se ka pasur një ndikim të fortë emocional tek vajzat.
Sipas autoriteteve, varësia nga telefoni dhe lojërat online kishte nisur gjatë pandemisë së Covid-19. Më pas, motrat kishin filluar të mungonin shpesh në shkollë, deri në momentin që kishin ndërprerë plotësisht ndjekjen e saj. Babai ka pohuar se vajzat kishin luajtur për rreth dy deri në tre vite një lojë online me origjinë koreane, e cila përfshinte kryerjen e një sërë “detyrash”.
Pikërisht për këtë arsye hetimet po përqendrohen edhe te dyshimet rreth një sfide ekstreme online. Sipas burimeve, vajzat kalonin shumicën e kohës të mbyllura në një dhomë, duke marrë pjesë në lojëra me role dhe sfida gjithnjë e më të rrezikshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)