Tragjedi familjare në Australi: Prindërit vrasin fëmijët autikë dhe kafshët shtëpiake, më pas vetëvriten

Hetuesit gjetën edhe një letër lamtumire, ku çifti shprehte frikën dhe ankthin për të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke besuar se të miturit nuk do të mund të mbijetonin pa ta.

06.02.2026. 17:09

Tragjedi familjare në Australi: Prindërit vrasin fëmijët autikë dhe kafshët shtëpiake, më pas vetëvriten

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Perth-it në Australi. Një çift prindërish ka vrarë dy djemtë e tyre të mitur, që vuanin nga një formë e rëndë e autizëmit, si edhe kafshët shtëpiake, përpara se t’i jepnin fund edhe jetës së tyre. Viktimat janë Leon dhe Otis, 16 dhe 14 vjeç, ndërsa autorët janë prindërit e tyre, Jarrod Clune dhe partnerja e tij Maiwenna Goasdoue.

Sipas hetimeve, çifti ka përdorur gaz për të kryer aktin tragjik. Autoritetet kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një rast vrasje-vetëvrasje. Trupat u zbuluan pasi një punonjës social, që ndiqte rregullisht familjen, nuk arriti të kontaktonte me ta dhe njoftoi policinë. Në derën e shtëpisë ishte vendosur një shënim me fjalët: “Mos hyni, telefononi policinë”.

Hetuesit gjetën edhe një letër lamtumire, ku prindërit shprehnin frikën dhe ankthin për të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke besuar se të miturit nuk do të mund të mbijetonin pa ta. Sipas miqve dhe fqinjëve, çifti ndihej i braktisur dhe pa mbështetje nga institucionet.

Gjithashtu, ata kishin frikë t’i dërgonin fëmijët në institucione të posaçme kujdesi, nga shqetësimi se mund të keqtrajtoheshin. Ngjarja ka rihapur debatet në Australi mbi mungesën e mbështetjes për familjet që përballen me raste të rënda të autizmit dhe problemeve të shëndetit mendor.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)