Egjipt, zbulohet një strukturë misterioze nëntokësore pranë Gizës

Poshtë saj, në një thellësi që varion nga 5 deri në 10 metra, studiuesit kanë identifikuar një tjetër formacion të pazakontë, element që rrit edhe më tepër misterin.

22.12.2025. 17:29

Egjipt, zbulohet një strukturë misterioze nëntokësore pranë Gizës

Një strukturë misterioze nëntokësore në formë L-je është zbuluar pranë Piramidave të Mëdha të Gizës, në Egjipt, falë përdorimit të teknologjisë së avancuar të georadarit. Zbulimi është bërë nga një ekip arkeologësh të Universitetit të Tohoku-s në Japoni dhe mund të hapë rrugën drejt njohurive të reja mbi historinë e lashtë egjiptiane.

Arkeologët theksuan se nuk bëhet fjalë për ndonjë “portal”, por për hyrjen në një zonë arkeologjike të panjohur deri më sot. Ajo ka qenë e fshehur nën tokë pranë një prej komplekseve më të rëndësishme monumentale në botë.

Struktura u identifikua falë përdorimit të radarëve specialë, teknologji që mundëson skanimin e nëntokës përmes impulsive magnetike, pa qenë nevoja për gërmime. E njëjta metodë është përdorur më parë për të zbuluar anije vikinge në Norvegji, qytete romake të varrosura dhe gjurmë civilizimesh të humbura në Amazonë.

Sipas studimit të publikuar në revistën shkencore “Archaeological Prospection”, struktura është përshkruar si një “anomali në formë L-je” dhe ndodhet në varrezën perëndimore të Gizës, pranë piramidave të Keopsit, Kefrenit dhe Mikerinit. Ajo është rreth 2 metra e lartë, shtrihet në afërsisht 10 metër dhe duket se është mbushur pas ndërtimit të saj.

Arkeologët theksojnë se varreza perëndimore e Gizës është e njohur si vendvarrim për anëtarë të familjes mbretërore dhe zyrtarë të lartë të Egjiptit të Lashtë. Nën këtë strukturë, në një thellësi që varion nga 5 deri në 10 metra, studiuesit kanë identifikuar një tjetër formacion të pazakontë.

Sipas tyre, mund të bëhet fjalë ose për një përzierje rëre dhe zhavorri, ose për një hapësirë me boshllëqe ajri – një element që rrit edhe më shumë misterin e zbulimit. Zbulimi i ri mund të nxisë kërkime të mëtejshme dhe ndoshta, zbulime të tjera që do të hedhin dritë më tej mbi enigmat e qytetërimit egjiptian.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)