Një zbulim i pazakontë arkeologjik është bërë në qytetin Reinstedt të Gjermanisë, gjatë punimeve paraprake për ndërtimin e një parku eolik. Zyra Shtetërore për Ruajtjen e Monumenteve dhe Arkeologjinë e Saksoni-Anhaltit nisi gërmimet për të shmangur dëmtimin e trashëgimisë kulturore dhe, gjatë këtij procesi, u identifikua një strukturë misterioze nëntokësore.
Arkeologët zbuluan fillimisht një hendek të madh trapezoid që daton nga periudha neolitike. Brenda tij u gjet një pllakë guri dhe një pus oval, që në fillim u mendua se ishte një varr. Megjithatë, hetimet e mëtejshme konfirmuan se bëhej fjalë për një tunel të tipit “erdastall”, rreth një metër i lartë dhe vetëm 50–70 centimetra i gjerë.
Këto galeri të ngushta mesjetare janë të përhapura në Evropë, por funksioni i tyre mbetet ende i paqartë. Brenda tunelit u gjetën objekte si një patkua hekuri, një skelet dhelpre dhe kocka gjitarësh, si edhe gjurmë të një zjarri të vogël dhe gurë të grumbulluar, që sugjerojnë se hyrja ishte bllokuar qëllimisht.
Sipas materialeve të zbuluara, tuneli mendohet të jetë ndërtuar mes shekujve X dhe XIII. Studiuesit hedhin disa hipoteza, nga strehë e përkohshme, deri te përdorimi për rite pagane apo praktika simbolike dhe shpirtërore. Pavarësisht teorive, qëllimi i vërtetë i këtyre tuneleve mbetet ende një enigmë historike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)