Pinguinët vazhdojnë të mahnitin studiuesit dhe publikun me sjelljet e tyre të pazakonta, sidomos kur bëhet fjalë për ritualet e çiftëzimit. Tek disa nënlloje pinguinësh, meshkujt kryejnë një gjest që i ngjan fejesës njerëzore, duke i dhuruar femrave një gur të vogël... “në vend të unazës”.
Shkencëtarët e kanë studiuar prej vitesh këtë fenomen, pasi meshkujt kërkojnë me kujdes një gur të lëmuar ose një guralec të veçantë, të cilin më pas ia vendosin pranë këmbëve femrës si shenjë afrimi dhe përkushtimi. Ky akt simbolizon dëshirën për të ndërtuar një fole së bashku dhe për të formuar një çift të qëndrueshëm gjatë sezonit të shumimit.
Sipas studimeve, përfshirë edhe atë të Lakaprijes, gurët nuk kanë vetëm vlerë simbolike. Ato janë thelbësore për ndërtimin e folesë, pasi ndihmojnë në mbajtjen e vezëve mbi sipërfaqe, veçanërisht në zonat ku bora shkrihet shpejt dhe uji rrezikon t’i dëmtojë ato. Meshkujt i mbledhin gurët nga shkëmbinjtë ose, në disa raste, edhe nga foletë e tjera brenda kolonisë.
Megjithatë, biologët theksojnë se guri nuk është vendimtar për zgjedhjen e partnerit. Femra është ajo që merr vendimin përfundimtar dhe nis procesin e lidhjes, ndërsa guri shërben më shumë si një gjest komunikimi dhe kujdesi.
Ky ritual, që shpesh krahasohet me martesën njerëzore, ka ndihmuar gjithashtu në rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që përballen pinguinët. Që nga viti 2018, studiuesit kanë identifikuar dhjetëra specie të rrezikuara, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimatike dhe degradimit të habitatit natyror.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)