Një shitëse në Mbretërinë e Bashkuar ka paditur kompaninë ku punonte, pasi zbuloi se kolegët e saj, përfshirë edhe shefin, kishin vënë baste se kush do të flinte me të i pari, menjëherë pas punësimit të saj.
Molly Craigie paditi firmën East Anglia Home Improvements. Gjykata konstatoi se një bast i tillë “përbën sjellje të padëshiruar me natyrë seksuale”, por e rrëzoi padinë për ngacmim, pasi ajo ishte ngritur jashtë afatit ligjor.
“Unë mendoj se çdo bast i tillë është sjellje e padëshiruar me natyrë seksuale”, deklaroi gjykatësja Rebecca Peer.
Craigie dëshmoi se basti ishte vendosur para se kolegët të dinin se ajo ishte në një marrëdhënie afatgjatë dhe e përkushtuar ndaj partnerit.
“Ishte hera e parë që ndjeva se kolegët e mi, njëri prej të cilëve ishte pjesë e menaxhmentit, më seksualizuan dhe më veçuan, thjesht për shkak të gjinisë sime”, tha ajo në gjyq.
Vajza u punësua në shtator 2022 dhe e la kompaninë në qershor 2023, përpara se ta çonte çështjen në gjykatë. Gjykata urdhëroi kompaninë t’i paguante asaj 4,775 paund për pushime të papaguara, por u bë e ditur se shuma ende nuk i është dhënë.
Ndërkohë, kompania kërkoi që Craigie të paguante 7,500 paund për shpenzime ligjore, duke e akuzuar se kishte tentuar të “manipulonte gjykatën për të dëgjuar një çështje të trilluar”.
Kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata, e cila theksoi se ishte bërë jashtë afatit dhe se, gjithsesi, nuk do të kishte pasur sukses.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)