Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur seanca e deklaratave hyrëse në rastin për pengim të drejtësisë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefit të AKI-së Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës Isni Kilaj dhe veteranit të UÇK-së Fadil Fazliu.
Gjykatësi i çështjes i pyeti me radhë të akuzuarit nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse deklarohen fajtorë ose jo. Të gjithë, të cilët edhe më herët janë deklaruar të pafajshëm, e përsëritën qëndrimin e tyre në sallën e gjyqit.
Ish-presidenti Thaçi u shpreh qartë duke thënë: “Jam plotësisht i pafajshëm.” Por, sipas Prokurorisë, Thaçi mban përgjegjësi për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Për Bashkim Smakajn, Prokuroria deklaroi se ai akuzohet për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, ndërsa Hajredin Kuçi përballet me dy pika të veprës penale për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkohë, kryeprokurorja Kimberly West tha se Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë kanë “minuar” Gjykatën Speciale.
“Të akuzuarit shkelën qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar se dëshmitarët dhe viktimat mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa ndikim, dhe të kenë besimin se identitetet dhe fjalët e tyre do të mbeten konfidenciale për gjykatën dhe palët”, deklaroi ajo.
Sipas saj, akuzat ndaj Thaçit janë të rënda dhe të përsëritura. “Ish-kryetari Thaçi akuzohet se në mënyrë të përsëritur dhe sistematike tentoi të ndërhyjë ndaj dëshmive të dëshmitarëve, duke dhënë udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët në çështjen gjyqësore tjetër kundër tij për krime lufte, dhe duke shkelur një numër urdhrash gjyqësorë që synojnë mbrojtjen e informacionit konfidencial në lidhje me dëshmitarët. Të bashkakuzuarit e tij Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për pjesëmarrje të paligjshme në një ose më shumë prej këtyre veprave penale.”
Procesi pritet të vijojë me paraqitjen e argumenteve të Prokurorisë dhe më pas të mbrojtjes, në një çështje që zhvillohet paralelisht me gjyqin tjetër ndaj Thaçit, ku Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin me 45 vite burg nën akuzën për krime lufte.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)