Shkatërrohet banda e drogës në Itali, 5 në pranga, mes tyre edhe drejtuesi shqiptar

Grupi operonte me një skemë të mirëorganizuar, duke kryer shitje të përditshme droge, shpesh me shpërndarje në banesë përmes automjeteve të ndryshme. Përveç përdoruesve, rrjeti furnizonte edhe shpërndarës të vegjël lokalë në disa zona të qytetit, përfshirë Saione dhe Campo di Marte.

21.04.2026. 22:13

Shkatërrohet banda e drogës në Itali, 5 në pranga, mes tyre edhe drejtuesi shqiptar

Një operacion i gjerë antidrogë i koduar “Minerva” ka çuar në shkatërrimin e një organizate italo-shqiptare që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në provincën e Arezzo.

Sipas autoriteteve italiane, janë ekzekutuar 5 masa sigurie, ndaj dy shtetasve shqiptarë dhe tre italianëve, të dyshuar për përfshirje në një rrjet të strukturuar të trafikut të drogës. Një prej tyre është dërguar në burg, ndërsa katër të tjerë janë vendosur në arrest shtëpiak.

“Hetimi, i nisur në gusht 2025, u zhvillua përmes një aktiviteti kompleks investigativ. Përgjimet telefonike dhe mjedisore, së bashku me vëzhgimet dhe ndjekjet, ishin thelbësore për rindërtimin e strukturës së grupit kriminal”, bëri të ditur policia.

Sipas hetimeve, organizata drejtohej nga një shtetas shqiptar, aktualisht në paraburgim, i cili bashkëpunonte ngushtë me partneren e tij, gjithashtu e përfshirë në aktivitetin kriminal.

Grupi operonte me një skemë të mirëorganizuar, duke kryer shitje të përditshme droge, shpesh me shpërndarje në banesë përmes automjeteve të ndryshme. Përveç përdoruesve, rrjeti furnizonte edhe shpërndarës të vegjël lokalë në disa zona të qytetit, përfshirë Saione dhe Campo di Marte.

“Organizata kishte një ndarje të qartë rolesh: drejtimi dhe koordinimi nga kreu i grupit, ndërsa shtetasit italianë vepronin si korrierë, përgjegjës për transportin, ruajtjen dhe paketimin e dozave”, theksuan autoritetet.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi 750 gramë kokainë, 500 gramë hashash dhe 1 kilogram marihuana. Tre persona u arrestuan në flagrancë gjatë hetimeve, ndërsa kontrollet e kryera më pas zbuluan edhe materiale shtesë.

Në përfundim të operacionit “Minerva”, një i dyshuar u transferua në burgun e Arezzo, tre të tjerë u vendosën në arrest shtëpiak, ndërsa një i pestë ndodhej tashmë në të njëjtën masë sigurie për një arrestim të mëparshëm. Autoritetet vijojnë hetimet për të identifikuar lidhje të tjera të mundshme të rrjetit kriminal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)