Pronarët e vilës së Marilyn Monroe padisin Bashkinë e Los Angelesit, ja arsyeja

Bëhet fjalë për të vetmen shtëpi që Marilyn Monroe kishte dhe ku kaloi muajt e fundit të jetës së saj. Në vitin 2024, banesa u shpall monument historik dhe kulturor.

05.02.2026. 18:33

Pronarët e vilës së Marilyn Monroe padisin Bashkinë e Los Angelesit, ja arsyeja

Në Los Angeles po përgatiten për të kujtuar 100-vjetorin e lindjes së Marilyn Monroe, por në të njëjtën kohë po ndizet një përplasje ligjore që rrezikon fatin e shtëpisë historike të ikonës së Hollywood. Pronarët aktualë të vilës në Brentwood kanë ngritur padi ndaj Bashkisë së Los Angeles-it dhe kryetares Karen Bass, duke i akuzuar për bllokimin e shembjes së objektit.

Bëhet fjalë për të vetmen shtëpi që Marilyn Monroe kishte dhe ku kaloi muajt e fundit të jetës së saj. Në vitin 2024, banesa u shpall monument historik dhe kulturor, duke hyrë në mbrojtje zyrtare si pjesë e trashëgimisë së qytetit. Pronarët, Brinah Milstein dhe Roy Bank, pretendojnë se ky status u ka mohuar të drejtën për të shfrytëzuar pronën e tyre pa përfituar asnjë kompensim publik.

Sipas tyre, vila është shndërruar në një atraksion turistik. Autobusët ndalojnë vazhdimisht pranë portës, ndërsa në nëntor të vitit 2025 ka ndodhur edhe një vjedhje, me hajdutët që ndoshta kërkonin relike të cilat i përkisnin aktores. Sipas çiftit situata është e papranueshme.

Milstein dhe Bank e blenë vilën në vitin 2023 për 8,35 milionë dollarë, me qëllimin për ta shembur dhe për të zgjeruar rezidencën ngjitur saj, ku ata jetojnë aktualisht. Fillimisht, autoritetet kishin dhënë leje për shembjen, por ajo u pezullua pas protestave të historianëve, banorëve dhe fansave të aktores, të cilët kërkuan ruajtjen e një simboli klasik të Hollywood.

Këshilli Bashkiak i Los Angeles votoi unanimisht për mbrojtjen e vilës, duke hapur një betejë ligjore mes palëve. Në vitin 2025, një padi e parë e ngritur nga Milstein dhe Bank u rrëzua nga gjykata. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë fati i veprimit të dytë ligjor të ndërmarrë nga çifti.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)