Këngëtari i njohur turk Ibrahim Tatlises është shtruar me urgjencë në spital pas përkeqësimit të papritur të gjendjes së tij shëndetësore teksa ndodhej në banesën e tij në Stamboll.
Sipas mjekëve, 74-vjeçari u paraqit me tension të ulët dhe pas analizave dhe ekzaminimeve, u vendos në terapi intensive si masë paraprake, me dyshimin për një infeksion bakterial.
Mjeku kryesor deklaroi se këngëtari është i vetëdijshëm dhe se funksionet e zemrës dhe mushkërive janë normale. Vajza e tij, Melek Zubeyde, bëri të ditur se infeksioni mund të lidhet me fshikëzën e tëmthit dhe nuk përjashtohet ndërhyrja kirurgjikale.
Ibrahim Tatlises konsiderohet një nga figurat më të mëdha të muzikës “arabeske” në Turqi, shpesh i quajtur “Perandori” nga fansat. Ai u ngrit nga varfëria për të ndërtuar një karrierë të suksesshme muzikore dhe mediatike, duke publikuar rreth 50 albume dhe duke shitur mbi 30 milionë kopje.
Përveç muzikës, ai është njohur edhe si moderator i emisionit të famshëm “Ibo Show”. Megjithatë, jeta e tij personale ka qenë shpesh e shoqëruar me polemika dhe incidente, përfshirë një atentat në vitin 2011 që i shkaktoi dëmtime serioze dhe probleme të vazhdueshme shëndetësore, teksa disa vite më vonë i mbijetoi dhe një aksidenti rrugor.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)