Është dënuar me 15 vjet burg, gruaja e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, e cila dyshohet se i dha dozën fatale që i mori jetën aktorit të serialit Friends, Matthew Perry.
Jasveen Sangha pranoi fajësinë në shtator për 5 akuza, përfshirë atë për shpërndarjen e ketaminës që shkaktoi vdekjen e aktorit . Prokurorët e përshkruan shtëpinë e saj si një “tempull droge” që financonte një stil luksoz jetese.
Perry, i cili kishte luftuar me varësinë ndaj substancave për vite me radhë, u gjet i vdekur në vaskën e shtëpisë së tij në Los Angeles në tetor 2023. Hetuesit arritën në konkluzione se shkaku i vdekjes ishte përdorimi i ketaminës, një anestezik disociativ me efekte halucinogjene që duhet të administrohet vetëm nga mjekët.
Para shpalljes së dënimit, njerka e Perry-t, Debbie Perry, kërkoi nga gjykata që Sangha të merrte dënimin maksimal, duke theksuar se ajo kishte shkaktuar dëme të pariparueshme dhe duhet ndaluar për të mos dëmtuar familje të tjera.
Autoritetet federale gjetën dhjetëra ampula ketamine gjatë një bastisjeje në shtëpinë e Sanghas në Hollywood, si dhe mijëra pilula të tjera, përfshirë metamfetaminë, kokainë dhe Xanax.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)