Fund vulave në pasaportë! Nga 10 prilli lëvizet ndryshe në kufijtë e BE-së, MEPJ sqaron qytetarët

Në hyrjen e parë pas 10 prillit 2026, qytetarët do të duhet të regjistrojnë në kufi të dhënat e pasaportës, fotografinë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.

09.04.2026. 21:53

Fund vulave në pasaportë! Nga 10 prilli lëvizet ndryshe në kufijtë e BE-së, MEPJ sqaron qytetarët

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar qytetarët shqiptarë se duke filluar nga data 10 prill 2026, në 29 vendet e hapësirës Shengen do të zbatohet plotësisht Sistemi Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES).

Ky sistem i ri zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me një regjistrim elektronik të hyrjeve dhe daljeve për shtetasit e vendeve jo-anëtare të Bashkimit Evropian.

EES ka nisur të aplikohet pjesërisht që prej tetorit 2025, ndërsa tashmë hyn në funksion të plotë në 27 vende të Schengen, duke përjashtuar Irlandën dhe Qipron.

Sistemi do të zbatohet për të gjithë udhëtarët që hyjnë në zonën Shengen për qëndrime afatshkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Në hyrjen e parë pas 10 prillit 2026, qytetarët do të duhet të regjistrojnë në kufi të dhënat e pasaportës, fotografinë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.

Autoritetet theksojnë se refuzimi për të dhënë të dhënat biometrike do të çojë në refuzimin e hyrjes në territorin Shengen.

Në fazën fillestare të zbatimit pritet të ketë vonesa në aeroporte, porte dhe pika kufitare tokësore, ndaj MEPJ këshillon qytetarët të paraqiten më herët për udhëtim.

Sipas MEPJ, para udhëtimit duhet të sigurohemi se pasaporta duhet të jetë e vlefshme dhe në gjendje të mirër, por nuk kërkohet aplikim paraprak për EES. Në njoftim bëhet me dije se regjistrimi ndodh në momentin e kalimit kufitar dhe rregulli i qëndrimit mbetet i pandryshuar, pra maksimumi 90 ditë në çdo 180 ditë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u bën thirrje qytetarëve të informohen paraprakisht për procedurat e reja dhe të planifikojnë udhëtimet duke marrë parasysh kohën shtesë për kontrollet kufitare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)