Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar nga Kuvendi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili doli në mbrojtje të ndërtuesve, duke thënë se akuzat që lidhin sektorin e ndërtimit në Shqipëri me krimin dhe korrupsionin, janë “të neveritshme dhe të papranueshme”.
Sipas Bardhit, është vetë Departamenti Amerikan i Shtetit që me raportin e tij ngre alarmin për çështjen e pastrimit të parave përmes sektorit të ndërtimit në Shqipëri.
Ai shtoi se Rama duhet të vijë në Kuvend dhe të japë llogari për lejet e ndërtimit që ka dhënë për disa nga emrat më në zë të krimit në vend.
“Grupet e krimit të organizuar të drejtuar nga shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë sipas autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit.
Këto grupe shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta në sofistimin e krimeve të tyre të teknikave të komunikimit dhe teknikave të pastrimit të parasë. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion.
Këtë se thotë më opozita por Departamenti Amerikan i Shtetit. Në fakt e papranueshme nuk është të lidhësh sektorin e ndërtimit me paratë e krimit, e papranueshme është t’i japësh krimit në mënyrë të vazhdueshme leje ndërtimi.
Tani leje ndërtimi Artur Shehut në Vlorë që po e kërkon e gjithë bota si një nga krerët e një prej organizatave më të rrezikshme të trafikimit të lëndëve narkotike, i ka dhënë leje opozita apo Edi Rama. Ne ja kemi firmosur lejen për resortin luksoz në Vlorë apo Edi Rama”, tha mes të tjerash Bardhi.
Gjatë një takimi me përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare, Rama theksoi se ndërtimi është një nga sektorët që ka kontribuar më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit, por njëkohësisht është edhe më i sulmuari publikisht. Sipas tij, çdo sukses në këtë fushë shoqërohet me akuza dhe “baltë”, duke dëmtuar imazhin e investitorëve dhe të vetë ekonomisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)