Takim me 'opozitën e re', Gonzato pret në zyrë Lapajn e Qorin, diskutohet reforma zgjedhore

Në një postim në rrjetet sociale, ku publikoi foto nga takimi me krerët e “opozitës së re” të vendit, Gonzato theksoi rëndësinë e pluralizmit politik si bazë për një demokraci funksionale.

09.04.2026. 19:45

Takim me 'opozitën e re', Gonzato pret në zyrë Lapajn e Qorin, diskutohet reforma zgjedhore

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me drejtuesin e nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, dhe kreun e Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit politike në vend.

Në një postim në rrjetet sociale, ku publikoi foto nga takimi me krerët e “opozitës së re” të vendit, Gonzato theksoi rëndësinë e pluralizmit politik si bazë për një demokraci funksionale.

Sipas tij, bashkëjetesa e zërave të ndryshëm politikë pasqyron më mirë strukturën e shoqërisë, garanton përfaqësim të drejtë dhe ndihmon në rritjen e besimit të publikut.

Ambasadori i BE-së nënvizoi se çdo votë duhet të ketë të njëjtën peshë, në mënyrë që rezultatet zgjedhore të reflektojnë realisht vullnetin e qytetarëve.

Ai vuri theks të veçantë edhe tek rëndësia e reformës zgjedhore, duke theksuar se një kuadër i drejtë dhe transparent është thelbësor për një përfaqësim të saktë në parlament. Sipas Gonzatos, një sistem zgjedhor i besueshëm fuqizon qytetarët, nxit pjesëmarrjen në votime dhe rrit llogaridhënien e institucioneve.

Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për klimën politike në Shqipëri, ndërsa diskutimet për reformën zgjedhore vijojnë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)