Paralajmërimi i Institutit të Gjeoshkencave: E gjithë Shqipëria në rrezik përmbytjesh!

Në 10 nga 12 qarqet e vendit, situata do të vijojë të mbetet problematike edhe gjatë ditës së enjte. Alarm për lumenjtë Vjosa dhe Drin-Buna, si edhe për Liqenin e Shkodrës.

07.01.2026. 18:23

Paralajmërimi i Institutit të Gjeoshkencave: E gjithë Shqipëria në rrezik përmbytjesh!

Reshjet intensive që kanë pushtuar të gjithë vendin vijuan këtë të mërkurë dhe intensiteti i tyre nuk do të ulet as të enjten. Kjo ka bërë që Instituti i Gjeoshkencave të paralajmërojë se i gjithë territori i Shqipërisë mbetet në rrezik përmbytjesh.

Sipas njoftimit, të prekura do të jenë 10 nga 12 qarqet e vendit. Më specifikisht bëhet fjalë për qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Sipas parashikimeve, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane të këtyre qarqeve, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve dhe kapacitetit të tyre për të përballuar reshjet. Sipas llogaritjeve hidrologjike të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, reshjet e fundit dhe ato që priten deri të enjten do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve të ujit në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin.

Gjithashtu, sipas IGJEO, ka rrezik të shtuar për përmbytje në lumin Vjosë, lumin Drin-Buna, si edhe në Liqenin e Shkodrës. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë paralajmërimet, sidomos në zonat e prekura nga vërshimet dhe rrëshqitjet e mundshme të dherave.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)