Policia e Tiranës nuk ka marrë përsipër garantimin e protestës së Partisë Demokratike. Drejtoria e Policisë në kryeqytet njoftoi se përfaqësues të PD-së kanë njoftuar për zhvillimin e një tubimi më 28 shkurt 2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Por, duke marrë parasysh incidentet gjatë tubimit të mëparshëm, i cili u karakterizua nga akte dhune ndaj punonjësve të policisë, pjesëmarrjen e personave të maskuar dhe të miturve, si dhe informacionet mbi mundësinë e përsëritjes së veprimeve të tilla, Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk mund të marrë përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit.
Megjithatë, forcat e rendit njoftuan se kanë marrë të gjitha masat për sigurinë publike, mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, në rast se tubimi zhvillohet. Policia apelon që qytetarët të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri që konstatojnë, duke garantuar kështu qetësinë dhe rendin në kryeqytet.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)