Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në segmentin rrugor Shirokë–Zogaj, një projekt që konsiderohet kyç për zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonës së Shkodrës.
Gjatë vizitës në terren, Karakaçi theksoi rëndësinë strategjike të këtij investimi, duke nënvizuar se përmirësimi i infrastrukturës do të rrisë ndjeshëm aksesin për vizitorët dhe do të promovojë potencialin turistik të zonës pranë Liqenit të Shkodrës.
“Nuk flasim vetëm për një aks rrugor, por një pjesë lidhëse shumë e rëndësishme turistike mes Shirokës e Zogajt. Ky është vetëm fillimi për qarkun e Shkodrës. Kemi investime infrastrukturore në Velipojë, në hyrje të qytetit të Shkodrës, rijetëzim të Bunës duke krijuar një pjesë më të aksesueshme për turistët dhe duke përfshirë investimet deri në Malësi të Madhe. Kjo paketë investimesh do të japë frytet në zhvillimin turistik të këtij qarku”, u shpreh Karakaçi.
Sipas të dhënave, zona aktualisht tërheq rreth 500 mijë turistë, të cilët qëndrojnë mesatarisht dy net në strukturat akomoduese, ndërsa investimet e reja pritet të rrisin më tej këtë fluks.
Në inspektim mori pjesë edhe zv/kryeministrja Albana Koçiu, e cila theksoi rëndësinë e projektit për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave pasi do të krijohet një pikë e re e kalimit kufitar me Malin e Zi.
“Është një segment rrugor që do të lehtësojë shumë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave. Oferta turistike bëhet më e dobishme në funksion të sezonit turistik. Jemi duke punuar me Malin e Zi duke vendosur një pikë kufitare ku shërbimet merren në të njëjtën pikë duke mundësuar që shërbimet policore e doganore të jenë në të njëjtën pikë kufitare”, deklaroi Koçiu.
Nga ana tjetër, drejtori i Policisë, Skënder Hita, bëri të ditur se do të ngrihet një grup ekspertësh për realizimin e pikës së përbashkët kufitare me Malin e Zi.
“Do të ngrihet grupi i ekspertëve për lidhjen e pikës kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Shërbimet e rendit dhe qarkullimit rrugor do të jenë të përfshira në këtë aks për të ofruar siguri dhe rend publik”, u shpreh Hita.
Ndërtimi i rrugës Shirokë–Zogaj–Kufi ishte një nga premtimet kryesore të kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të majit 2023. Kontrata për realizimin e këtij projekti, që përfshin edhe trajtimin e ujërave të zeza për zonën, u firmos më 16 tetor 2024, me një vlerë prej 4.7 milionë euro.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)