Gjykata e Elbasanit ka shpallur të pafajshëm Donald Hoxhën, i akuzuar si ndihmës në vrasjen e ish-oficerit të Antidrogës, Roland Rexhepi, i njohur me nofkën “Doda”, ngjarje e ndodhur në vitin 2009. Vendimi u dha këtë të martë, pavarësisht kërkesës së Prokurorisë për dënimin e tij me 16 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim.
Sipas organit të akuzës, Hoxha dyshohej se kishte pasur rol ndihmës në organizimin dhe realizimin e atentatit ndaj ish-oficerit të policisë, por gjykata vlerësoi se provat e paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë e tij përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Menjëherë pas vendimit, Prokuroria e Elbasanit reagoi duke deklaruar se do ta ankimojë çështjen në një shkallë më të lartë gjyqësore.
Për vrasjen e Roland Rexhepit janë dënuar më herët Florind Shabani, Armand Llakaj dhe Marjus Tafaj, ndërsa Gëzim Balla vijon të jetë në kërkim.
Roland Rexhepi u ekzekutua mëngjesin e 23 korrikut 2009 në Elbasan, duke u qëlluar me breshëri nga armë automatike, ndërsa dy vite më vonë u vra edhe vëllai i tij, biznesmeni Ilir Rexhepi, në një atentat në qendër të qytetit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)