Arratisja e Altin Ndocit, ministri Lamallari firmos shkarkimin nga detyra të drejtorit të burgut të Durrësit

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka firmosur shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cerloj, pas arratisjes të paraburgosurit Altin Ndoci ditën e martë nga Spitali Rajonal Durrës.

14.01.2026. 14:48

Arratisja e Altin Ndocit, ministri Lamallari firmos shkarkimin nga detyra të drejtorit të burgut të Durrësit

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka firmosur shkarkimin e drejtorit të IEVP Durrës, Indrit Cerloj, pas arratisjes të paraburgosurit Altin Ndoci ditën e martë nga Spitali Rajonal Durrës. Ndoci, një prej emrave më të njohur të botës së krimit, ishte transferuar në burgun e Durrësit në vitin 2020 dhe ndodhej në gjykim në dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, ku akuzohej për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Urucit, si dhe për vrasje për llogari të organizatës kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Copja.

Hetimet paraprake tregojnë se Ndoci ka kryer konsultë mjekësore në institucionin e vuajtjes së dënimit, dhe më pas është planifikuar shoqërimi i tij për vizitë kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit, IEVP Durrës-spitali-kthim në burg. Gjatë trajtimit në pavionin infektiv, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe, ndërsa ishte nën shoqërim të punonjësve të Policisë së Burgjeve, kundërshtoi dhe i goditi ata, duke arritur të arratiset.

Si pasojë e këtij incidenti, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të IEVP Durrës, përfshirë drejtorin, shefat e policisë, kryeinfermierin, shefen e shërbimit shëndetësor dhe disa punonjës të Policisë së Burgjeve. Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, është vendosur ndalimi i disa prej punonjësve që ishin të përfshirë drejtpërdrejt në shoqërimin e Ndocit, për shkelje të rëndë të detyrës.

Autoritetet po hetojnë nëse arratisja ka pasur bashkëpunëtorë brenda burgut dhe arsyet pse një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore u vendos në një institucion me siguri të ulët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)