Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 32-vjeçar të akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë. Ai ishte në kërkim për ngjarjen e ndodhur në 16 janar në zonën e quajtur "Kryqëzimi i Vinotekës" në Shkodër.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale një tjetër fazë e operacionit kombëtar, të koduar “Operacionalja”, për kapjen e shtetasve në kërkim, me rrezikshmëri të lartë.
Tentoi të vriste me armë zjarri në Shkodër një 21-vjeçar, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Në pranga edhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte në zonën e “Freskut” i kërkuari.
Sekuestrohet automjeti tip “Audi”.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës mbi vendndodhjen e një shtetasi me precedent për krime kundër personit dhe armëmbajtje pa leje, si dhe i veprimeve operacionale të kryera nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 89”, u ndalua në Tiranë shtetasi E. K., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
Prokuroria e Shkodrës kishte lëshuar urdhër për ndalimin e tij, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
32-vjeçari akuzohet se më datë 16.01.2026, në zonën e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës”, Shkodër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. M., 21 vjeç.
Po gjatë operacionit u arrestua dhe shtetasi E. K., 27 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër.
27-vjeçari u arrestua për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi drejtonte automjetin me të cilin lëvizte në zonën e “Freskut” Tiranë, 32-vjeçari që ishte në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)