SPAK godet rrjetin ndërkombëtar të drogës, 11 masa sigurie dhe 12 milionë euro të sekuestruara

Një operacion i gjerë dhe i koordinuar në disa shtete ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal me shtrirje ndërkombëtare, i cili dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine dhe ka pastruar miliona euro përmes aktiviteteve të paligjshme.

15.04.2026. 17:36

SPAK godet rrjetin ndërkombëtar të drogës, 11 masa sigurie dhe 12 milionë euro të sekuestruara

Një operacion i gjerë dhe i koordinuar në disa shtete ka çuar në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal me shtrirje ndërkombëtare, i cili dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine dhe ka pastruar miliona euro përmes aktiviteteve të paligjshme. Prokuroria e Posaçme ka finalizuar këtë aksion, duke vendosur 11 masa sigurie dhe duke sekuestruar pasuri në vlerën e 12 milionë eurove.

Sipas SPAK, operacioni është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 153 të vitit 2023 dhe ka përfshirë bashkëpunim të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si Eurojust, Europol dhe autoritetet ligjzbatuese në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë lëshuar 11 masa sigurie “arrest në burg” për shtetas shqiptarë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Aktualisht janë arrestuar Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola, ndërsa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, pasi dyshohet se ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Hetimet kanë zbuluar se gjatë viteve 2019-2021, grupi ka operuar kryesisht në Amerikën Latine dhe në disa vende të Europës Perëndimore, duke realizuar të paktën tetë episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Droga transportohej përmes kontejnerëve të maskuar me produkte të ndryshme si fruta, peshk apo lëngje të ngrira, duke synuar kryesisht portin e Roterdamit në Holandë.

Në kuadër të këtij operacioni, autoritetet kanë vendosur edhe sekuestrimin preventiv të 232 pasurive me një vlerë të përllogaritur rreth 12 milionë euro. Mes tyre përfshihen kompani të ndryshme, kuota aksionere, pasuri të paluajtshme si toka, apartamente dhe hotele, automjete të shumta dhe dhjetëra llogari bankare.

Operacioni vijon ende, ndërsa hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policia e Shtetit po punojnë për kapjen e personave të tjerë të përfshirë dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

PASURITE E SEKUESTRUARA:

Pasuritë e Shoqërisë “P… GROUP”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Kuotat e Shoqërisë “HEC A…I”, sh.p.k, me seli qendrore në Fierzë, Bashkia Fushë Arrëz në masën 33.30 % , të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “B….V”, sh.p.k, me seli qendrore në Lezhë, fshati Fang, Rubik, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut “P… GROUP” sh.p.k.

Kuotat e Shoqërisë “Sh……i 2013”, sh.p.k, me seli qendrore në Shëngjin, Lezhë, në masën 50.00 %, të cilat i përkasin ortakut L.P.

Pasuritë e Shoqërisë “O….. Hotel”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “M….. N… A………”, sh.p.k, me seli në Tiranë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

Pasuritë e Shoqërisë “E…… AL”, sh.p.k, me seli qendrore në Ishull-Shëngjin Lezhë, duke përfshirë çdo pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, asete, të drejta ndaj të tretëve, pjesë të kapitalit, si dhe kuotat e shoqërisë.

60 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë.

89 automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura).

72 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.

8 EPISODET E TRAFIKUT TË LËNDËS NARKOTIKE

Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 2 –   7-8 Prill 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.

Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.

Episodi 4 – 26 Qershor 2020 –  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP World Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.

Episodi 5  – 30 Qershor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë më, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.

Episodi 6  –  7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 7 –  16 Gusht 2020 –  Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antwerp, e destinuar për një kompani në Hagë.

Episodi 8 – 1 –  2 Tetor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej  531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)