Zjarri shkrumboi pallatin, 4 të arrestuar, policia: Flakët nisën nga mbeturinat e marketit

Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht se 4 persona janë arrestuar, pas zjarrit që përfshiu pallatin pranë QSUT një ditë më parë, ndërsa hetimi penal ka nisur edhe për pronarin e pallatit.

15.04.2026. 15:01

Zjarri shkrumboi pallatin, 4 të arrestuar,  policia: Flakët nisën nga mbeturinat e marketit

Policia ka dalë me një njoftim zyrar për zjarrin që shkrumboi 30 apartamente në një pallat pranë “Farmacisë 10” në kryeqytet, duke bërë me dije se në pranga kanë rënë 4 persona.

Po ashtu ka nisur hetim edhe për pronarin e kompleksit Armand Lilo, kontraktorin e ndërtimit si dhe për dy punonjëse të marketit për “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Uniformat blu sqarojnë se zjarri fillimisht ka rënë në rrethana të paqarta në ambientin e pasmë të marketit, që menaxhonte shtetasja Razue Sula. Sipas policisë flakët janë hasur fillimisht në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, teksa menaxherja e subjektit tregtar nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:     

Agron Cara,  54 vjeç, administratori i kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

Razie Sula, 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë, për “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

Enver Admi, 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve, për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;

Altin Furtuna, 46 vjeç, administrator i subjektit që ka kryer punimet e fasadës, për të njëjtën vepër penale.

Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i  kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit", bën me dije policia.

Po ashtu sqarohet në komunikatën për media se të dëmtuar nga flakët dhe tymi kanë mbetur 11 persona, mes të cilëve edhe punonjës të forcave zjarrfikëse.

"Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre. Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin. Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri", sqarohet më tej.

Sa i përket procesit të rikonstruksionit të pallatit, kryeministri Edi Rama u dha sot shpresë banorëve të dëmtuar nga zjarri duke thënë se nuk do të jenë vetëm dhe se kompania do do të kryejë rindërtimin 100% të godinës.

“Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet  rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm", shkroi Rama.

Edhe kompania "Arlis Ndërtim" përmes një komunikate për mediat bëri me dije se angazhohet që në kuadër të përgjegjësisë sociale të mbulojë shpenzimet për rindërtimin e plotë të fasadës dhe rikthimin e apartamenteve të dëmtuara në gjendjen e mëparshme.

Kompania thekson ndër të tjera se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit dhe standardet ligjore në fuqi, pa asnjë shtesë të paautorizuar, ndërsa punimet janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente.

“Arlis Ndërtim” sqaron se për punimet e fasadës janë angazhuar kompani të specializuara dhe të regjistruara ligjërisht, të cilat kanë marrë përsipër realizimin e tyre sipas standardeve përkatëse. Gjithashtu, bëhet me dije se për objektin janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, përfshirë kolaudimin dhe dorëzimin e rregullt tek banorët.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)