Kompania që ka ndërtuar kompleksin i cili u shkrumbua nga zjarri pasditen e të martës ka reaguar përmes një deklarate për shtyp.
Kompania thekson se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit dhe standardet ligjore në fuqi, pa asnjë shtesë të paautorizuar, ndërsa punimet janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente.
“Arlis Ndërtim” sqaron se për punimet e fasadës janë angazhuar kompani të specializuara dhe të regjistruara ligjërisht, të cilat kanë marrë përsipër realizimin e tyre sipas standardeve përkatëse.
Megjithëse kompania deklaron se, sipas të dhënave paraprake, nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen, ajo angazhohet që në kuadër të përgjegjësisë sociale të mbulojë shpenzimet për rindërtimin e plotë të fasadës dhe rikthimin e apartamenteve të dëmtuara në gjendjen e mëparshme.
Gjithashtu, bëhet me dije se për objektin janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, përfshirë kolaudimin dhe dorëzimin e rregullt tek banorët.
Kompania shprehet e hapur për bashkëpunim me institucionet dhe ekspertët për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke garantuar transparencë ndaj publikut dhe mbështetje për familjet e prekura.
Në përfundim, “Arlis Ndërtim” siguron se do të ndjekë me prioritet çdo hap për rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës për banorët e dëmtuar.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)