Përplasja për një “beach bar” që përfundoi me vrasjen e Rexhep Ismailit, zbardhet dëshmia e Kostandin Voglit

Sipas deklarimeve të tij, përplasja mes palëve kishte nisur prej kohësh dhe lidhej me një konflikt për administrimin e një biznesi me Tori Ruçin. Natën e ngjarjes Vogli ka shkuar në lokalin ku ndodhej Ismaili për t’u sqaruar me palën tjetër, por situata ka dalë jashtë kontrollit.

09.05.2026. 12:16

Përplasja për një “beach bar” që përfundoi me vrasjen e Rexhep Ismailit, zbardhet dëshmia e Kostandin Voglit

Zbardhen detaje të reja nga dëshmia e Kostandin Voglit, 31-vjeçarit i cili mbeti i plagosur gjatë konfliktit të armatosur të 7 majit në zonën “Gjashtë” të Sarandës, ku humbi jetën Rexhep Ismaili. Sipas deklarimeve të tij, përplasja mes palëve kishte nisur prej kohësh dhe lidhej me një konflikt për administrimin e një biznesi “beach bar” me Tori Ruçin.

Vogli ka pretenduar se situata ishte përkeqësuar gjatë kohës që ai ndodhej në burg, duke thënë se në atë periudhë Ruçi kishte larguar vëllain e tij nga aktiviteti tregtar, çka kishte thelluar mosmarrëveshjet mes tyre. “Pasi u burgosa, Ruçi e nxori vëllain tim nga biznesi. Konfliktet tona nisën për paratë e biznesit”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Sipas dëshmisë, natën e ngjarjes Vogli ka shkuar në lokalin ku ndodhej Ismaili për t’u sqaruar me palën tjetër, por situata ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfunduar në përplasje fizike dhe më pas me armë zjarri.

Dinamika e ngjarjes sipas hetimeve

Sipas të dhënave zyrtare të hetimit, disa persona janë afruar në lokalin e viktimës dhe janë përfshirë menjëherë në konflikt me sende të forta. Gjatë përplasjes, Rexhep Ismaili dyshohet se ka qëlluar me armë automatike, ndërsa më pas është qëlluar me armë zjarri nga një prej personave të grupit kundërshtar, duke humbur jetën në vend.

Në ngjarje mbeti i plagosur edhe Kostandin Vogli, i cili më pas u largua së bashku me persona të tjerë, për t’u vetëdorëzuar më 8 maj dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një tjetër person, i afërm i viktimës, dyshohet se ka fshehur armën automatike të përdorur gjatë konfliktit, e cila është sekuestruar nga policia. Ngjarja vijon të jetë nën hetim, ndërsa disa persona të tjerë janë ende në kërkim për veprat penale të lidhura me vrasjen dhe armëmbajtjen pa leje.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)