“Rama autor kryesor i aferës Balluku”, Berisha paralajmëron protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria

Pasi e çoi dosjen "Balluku" deri në Strasburg, kryedemokrati Sali Berisha nga selia blu iu rikthye aferës, për të cilën konsideron përgjegjës kryesor, kryeministrin Edi Rama. Sipas Berishës qeveria e Ramës do të rrëzohet nga protesta më e fuqishme që ka njohur Shqipëria dhe do ndodhë së shpejti.

29.01.2026. 13:21

“Rama autor kryesor i aferës Balluku”, Berisha paralajmëron protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për mediat në selinë blu, pas kthimit nga Strasburgu, ku ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar autor kryesor të aferës Balluku dhe skandalit të AKSHI-t, ndërsa ka paralajmëruar protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Tirana dhe Shqipëria.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se në sallën e Parlamentit Europian është denoncuar roli i kryeministrit në këtë aferë, duke e konsideruar atë si kërcënim serioz për sigurinë e vendeve të Europës.

“Gjatë qëndrimit në sallën e parlamentit u denoncua Rama si autor kryesor i aferës Balluku dhe AKSHI-t. Kërcënimi që përbën Edi Rama për vendet e Europës, duke bërë të mundur koordinatorit të tij të eksportojë të gjitha të dhënat e internetit nga Shqipëria në duart e bandave, karteleve të drogës dhe armiqve të NATO-s. Tronditëse ishin këto lajme, tronditëse”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, nëse Rama nuk do të ishte i përfshirë drejtpërdrejt në këtë dosje, do të kishte lëshuar zëvendëskryeministren. “Po të mos ishte vetë i përfshirë në këtë dosje, Edi Rama do ta kishte shkarkuar Ballukun pa asnjë hezitim”, tha ai.

Berisha akuzoi kryeministrin se ka bllokuar qëllimisht shqyrtimin parlamentar të dosjes, duke e cilësuar këtë akt si puç institucional për të mbrojtur veten.

“Dënoj me forcën më të madhe aktin puçist të Edi Ramës, me të cilin ai bllokoi parlamentin dhe nuk lejoi shqyrtimin e dosjes. Qytetarët do flasin shumë shpejt”, deklaroi Berisha.

Në këtë kuadër, kreu i PD paralajmëroi organizimin e një proteste të re kombëtare, e cila sipas tij do të jetë më e fuqishmja që ka njohur ndonjëherë vendi.

“Ne do informojmë për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe Shqipëria në ditët në vijim. Opozita është në këmbë dhe është e vendosur të përballet dhëmb për dhëmb me këtë regjim kriminal, kleptokratik dhe narkoregjim”, u shpreh ai.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në këtë betejë, duke theksuar se opozita është shpresa e vetme për ndryshim. “Shpresa e vetme është opozita dhe ajo nuk do të zhgënjejë”, theksoi Berisha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)