Kadare, ambasadori shpirtëror i Shqipërisë në botë, përkujtohet 90-vjetori i lindjes

Në 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, një nga figurat më madhore të letërsisë dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizoi sot një ekspozitë përkujtimore kushtuar jetës, veprës dhe rolit të tij historik.

28.01.2026. 13:21

Kadare, ambasadori shpirtëror i Shqipërisë në botë, përkujtohet 90-vjetori i lindjes

Në 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, një nga figurat më madhore të letërsisë dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme organizoi sot një ekspozitë përkujtimore kushtuar jetës, veprës dhe rolit të tij historik. Ekspozita përfshin letërkëmbime të rralla të Kadaresë me personalitete të mendimit botëror, botime unike nga biblioteka e tij personale, si edhe artefakte autentike nga “Shtëpia Studio Kadare”.

Në fjalën e saj hapëse, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cilësoi Kadarenë si “luftëtarin e paepur të Shqipërisë europiane”, që i dëshmoi botës se shqiptarët janë pjesë organike e Europës. Ajo theksoi se Kadare ishte pasaporta morale dhe kulturore e Shqipërisë në vitet e izolimit, duke e ngritur gjuhën dhe identitetin shqiptar në nivele botërore.

Në ceremoninë e çeljes mori pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila nënvizoi lidhjen e thellë të Kadaresë me Kosovën. “Për Kadarenë, Kosova nuk ishte mit letrar, por dhimbje personale dhe plagë e hapur”, u shpreh ajo.

Spiropali kujtoi gjithashtu rolin vendimtar të shkrimtarit në mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën, përfshirë letrat e tij drejtuar delegacioneve dhe liderëve botërorë në momente kyçe historike. Me vepra të përkthyera në 45 gjuhë dhe të vlerësuara me çmime prestigjioze ndërkombëtare, Ismail Kadare mbetet simbol i përhershëm i kulturës shqiptare dhe i orientimit europian të kombit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)