Rritja e pagave, pas gjyqtarëve, Rama ‘i përvishet’ Prokurorëve: Keni njollosur Shqipërinë me arrestet me burg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratës së Shoqatës së Prokurorëve, e cila lidhet me debatin mbi rritjen e pagave të magjistratëve. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama theksoi se, pavarësisht interpretimeve të ndryshme që po bëhen, nuk parashikohet asnjë ulje page për ta.

04.02.2026. 13:16

Rritja e pagave, pas gjyqtarëve, Rama ‘i përvishet’ Prokurorëve: Keni njollosur Shqipërinë me arrestet me burg

Mbështetjen që Shoqata e Prokurorëve i bëri kërkesës së Shoqatës së Gjyqtarëve për rritjen e pagave, një çështje që ka futur gjyqësorin në përplasje me kreun e ekzekutivit, Edi Rama nuk e ka kapërdirë lehtë.

Pasi shigjetoi gjyqtarët duke thënë se po kërkojnë 3000 euro shtesë në pagat e tyre, kur kanë pagat më të larta e dinjitoze në rajon, Rama ju është “përveshur” edhe prokurorëve, të cilët e kritikuan se retorika e kryeministrit nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Rama thekson sërish se është absurde në gjykimin e tij sesi kategoria më e privilegjuar e piramidës së pagave të shtetit shqiptar synon që t’i imponohet Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që ajo të dalë me një vendim që i hap rrugë idesë së tyre për të rritje pagash.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!

Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!! A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!! Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!

Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë! Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!”, shkruan Rama në platformën ‘X’.

Shefi i qeverisë në fund i shtron edhe një pyetje Shoqatës së Prokurorëve, të cilët sipas Ramës e kanë njollosur imazhin e Shqipërisë në botë me vendimet për arreste me burg.

“Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”, shkruan më tej Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)