Diaspora mblidhet në Tiranë, Rama: Të strukturojmë një rrjet zemrash që rrahin për Shqipërinë

Tirana do të kthehet nga nesër në një pikë takimi të shqiptarëve, ndërsa nis edicioni i katërt i Samitit të Diasporës, një aktivitet që këtë herë vjen me fokus të veçantë te historitë e suksesit dhe roli konkret i emigrantëve në zhvillimin e vendit.

12.04.2026. 10:32

Diaspora mblidhet në Tiranë, Rama: Të strukturojmë një rrjet zemrash që rrahin për Shqipërinë

Tirana do të kthehet nga nesër në një pikë takimi të shqiptarëve, ndërsa nis edicioni i katërt i Samitit të Diasporës, një aktivitet që këtë herë vjen me fokus të veçantë te historitë e suksesit dhe roli konkret i emigrantëve në zhvillimin e vendit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se samiti, që nis më 13 prill, do të mbledhë shqiptarë nga e gjithë bota, duke e cilësuar diasporën si një “hapësirë të zgjeruar të Shqipërisë përtej kufijve”.

“Në javën që nis nesër, mirëpresim në Tiranë Samitin e Diasporës… vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre të punës, të suksesit dhe përkushtimit, që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë”, tha Rama.

Ai theksoi se sfida kryesore është forcimi i lidhjes me diasporën përtej simbolikës:
“Sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në një nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë”.

Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë ndaloi edhe te zhvillimet ekonomike, duke theksuar rritjen e investimeve të huaja në vend.


“Në 5 vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja në raport me ekonominë sesa mesatarja e rajonit, duke arritur në afro 7% të Prodhimit të Përgjithshëm”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar 1.21 miliardë euro, duke e çuar stokun total në 16.6 miliardë euro.

Në fokus ishte edhe procesi i integrimit europian, ku Rama paralajmëroi publikimin e një raporti të rëndësishëm për prokurimet publike. “Shqipëria spikat si e para në rajonin tonë për përmirësimet e bëra dhe faktet do të tregojnë sa larg janë akuzat për korrupsion nga realiteti”.

Samiti i Diasporës pritet të shërbejë si një platformë bashkëpunimi mes shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke synuar kthimin e kësaj lidhjeje në një motor zhvillimi për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)