PD “ngulet” në shesh? Berisha zbulon strategjinë e protestës së 10 shkurtit

Protestat e pandërprera para Kryeministrisë janë një opsion që Partia Demokratike po i vlerëson sipas kreut të demokratëve, Sali Berisha. Lideri i opozitës theksoi në një dalje për mediat se qytetarët kërkojnë ndryshim dhe është në rritje kjo kërkesë.

04.02.2026. 13:53

PD “ngulet” në shesh? Berisha zbulon strategjinë e protestës së 10 shkurtit

Kryedemokrati Sali Berisha i ka dhënë përgjigje pyetjeve që lidhem me protestën kombëtare të datës 10 shkurt, që Partia Demokratike do të zhvillojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Lideri i opozitës në daljen e sotme për mediat sqaroi se qytetarët kanë bërë thirrje që kjo e radhës të jetë një protestë e pandërprerë dhe e pranoi nën rreshta se ngulitja në shesh është një nga opsionet që po merret në konsideratë.

“Gjithnjë e më i madh është numri i qytetarëve që kërkojnë një gjë të tillë. Unë i siguroj ata se kërkesën e tyre e konsideroj shumë të drejtë dhe se ajo në rastin më të parë të mundshëm do të zbatohet. Pra, ata janë qytetarë të përgjegjshëm, që duan të përballen me këtë shtet të degraduar, të degjeneruar në shkallë ekstreme. Vetëm fjala e qytetarëve ka ngelë këtu dhe unë kam bindje se këtë betejë qytetarët do ta fitojnë”, deklaroi Berisha.

Nga selia blu, kryeopozitari nënvizoi edhe njëherë se objektivi i vetëm dhe i qartë është rrëzimi i kryeministrit Edi Rama dhe zëri i qytetarëve do të ndihet qartë të martën poshtë zyrës së tij.

“Nuk janë të paktë ata që po shkelmojnë mbi dinjitetin e tyre, ata që si shushunja po u thithin gjakun çdo ditë. Por prap guximi qytetar, ndershmëria dhe morali qytetar është qindra herë më i fuqishëm se ata.  Kështu që e kam deklaruar dhe e deklaroj, tani kemi një objektiv, largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve”, u shpreh kreu i PD-së.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)