“Zoti ju vr*ftë se ua prishët Namazin besimtarëve sot! Në rast se guxon të sulmojë këtë seli, selive të tij nuk do t’u gjejë gjurmë. Do përgjigjeni rëndë, koha juaj ka marrë fund!”.
Ky pasazh i fjalës përmbyllëse të protestës së djeshme nga Sali Berisha drejtuar policisë dhe mazhorancës socialiste pasi gazilotsjellës i hedhur ditën e djeshme për të shpërndarë turmën e protetuesve përfundoi tek Xhamia e Namazgjasë dhe selia e PD-së, duket se nuk ka qenë një paralajmërim bosh.
Në komunikimin e sotëm me qytetarët përmes rrjeteve sociale, Berisha konfirmoi fjalët e tij, duke i bërë me dije kryeministrit Edi Rama se sulmin me gaz ndaj selisë blu, do ta paguajë shtrenjtë. Berisha bëri me dije se si kundërpërgjigje do të ketë “sulme asgjësuese në selitë e PS në të gjithë vendin”.
"Dënoj gjuajtjen me seleksion të qytetarëve me bombola gazi, pas koke njërit prej tyre, në gjoks nënkryetarit të PD dhe deputetit të PD, Luçiano Boçi, dhe të tjerëve me mjete me gaz, me plumba gome, etj. Garantoj Edi Ramën se për të gjitha këto do jetë përgjegjës. Por në përshkallëzimin e tyre të djeshëm në një akt urrejtje të papërmbajtur janë hedhur në oborrin e selisë së PD sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe bomba tymuese. Ky përbën një agresion të hapur ndaj selisë së PD dhe pluralizmit. Me këtë rast u kërkoj të gjitha degëve të bëjnë rikonjicionin e plotë të selive të PS në çdo rreth. Dhe garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD do të sjellin sulme asgjësuese për selitë e partisë së krimit në të gjithë territorin e vendit. Ndaj dhe hiq dorë nga aventura dhe provokimi i ulët. Ne betejën e kemi me Edi Ramën si kryeministër i krimit, si kryetar i organizatës kriminale. Por në qoftë se ju sulmoni selinë e PD, PD do u përpiqet ju ashtu siç e meritoni”, deklaroi Berisha.
Lideri i opozitës në vijim hodhi akuza të rënda në drejtim të Policisë së Shtetit se kanë arrestuar të mitur që nuk kishin lidhje me tubimin e PD, duke ua mbushur çantat e shkollës me shishe molotovi dhe lëndë piroteknike.
Berisha publikoi edhe dëshminë e prindit të një të mituri që thuhet se është arrestuar në protestën e djeshme të opozitës për të argumentuar akuzat e tij.
“Djali ka qenë duke ngrënë sufllaqe bashkë me kushëririn e vet 14 vjeç. Kanë qenë duke ardhur këtej nga krahu i Lanës, sa kanë kaluar shkollën Ismail Qemali. Tek Ura e Tabakëve. Kanë pasur çantën e shpinës të shkollës me gjithë librat. Ka ardhur njëri dhe ua ka futur në çantë. Këta janë trembur se nuk i njihnin se ishte gjithë ai burrë. I ka thënë shkoni dhe hidhini tek protesta. I kanë kapur në orën 8 pa ca kur ne ishim akoma tek protesta. Dhe po u kapi njeri, thoni që na kanë dhënë lekë. Në atë moment, nuk kanë bërë djemtë as 10 hapa, kanë ardhur civilët dhe i kanë arrestuar”, thuhet në mesazhin denoncues që ka mbërritur në adresë të Berishës.
Kreu i PD nisur nga denoncimi i prindit tha se policia ka përgatitur skenar për të delegjitimuar tubimin sipas tij paqësor të opozitës. Berisha po ashtu pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e efektivëve kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e Drejtorit Ilir Proda për dhunë dhe trajtim çnjerëzor sipas tij ndaj protestuese opozitarë.
“Janë ndaluar, janë shoqëruar mbi 50 demonstrues. Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë marrë kurrë pjesë në protesta. Një pjesë e policisë janë sjellë me rrugaçëri, në mënyrë antiligjore, janë sjellë si patronazhistë dhe kriminelë të vërtetë. Ndërkohë mund t’u them se dje ka pasur një dallim të qartë në qëndrimin e një pjese të mirë të policisë, e cila ka realizuar dhe po realizon se mbrojtja e hajdutëve nuk është detyrë në emër të ligjit dhe të atdheut. Dhe unë i përgëzoj ata dhe ftoj policët e ndershëm, familjarë të ndershëm, burra, gra, vëllezër, motra të familjeve të mira të mos ndjekin udhëzimet e kriminelëve Proda dhe Bizhga, por në rastin më të parë të bashkohen me demonstruesit. Edi Rama është një armik i qenies së tyre, i kombit shqiptar, është një armik i paimagjinueshëm që po i bën vendit të zezën më të madhe që i ka bërë ndokush me ligjin mburojë për të mbrojtur vjedhjet e tij, të Lubisë dhe ministrave të tij”, tha Berisha.
Në përfundim Berisha bëri thirrje që qytetarët e heshtur që ndjekin protestat nga televizori t’u bashkohen protestuesve në shesh, ndërsa njoftoi një përshkallëzim të aksionit të demokratëve deri në kryengritje.
“Strategjia jonë do të vijë duke u fuqizuar, por duke qëndruar te platforma e kryengritjes paqësore. Sot, siç e shihni, janë dhjetëra mijëra qytetarë që, për të katërtën herë radhazi, mbushin sheshin dhe bulevardin. Por unë kërkoj mirëkuptimin e çdo qytetari që ka mundësi të dalë, por e ndjek protestën nga televizori. Këta dhjetëra mijëra qytetarë që mbushin bulevardin, a kanë të drejtë të protestojnë? A është akt kriminal të përdorësh pushtetin dhe të vjedhësh qytetarët, e më pas të bësh ligjin? A është e pranueshme heshtja në këto raste? A nuk është kjo një thirrje ndërgjegjeje qytetare për secilin, pavarësisht bindjeve që ka, pa parti, i majtë apo i djathtë, që të dalë në shesh për të mos u pajtuar me këtë gjë?”.
Kreu i PD e konsideroi kryeministrin Rama një kufomë politike dhe nënvizoi se nuk do të ndalen protestat deri në largimin e tij nga pushteti.
“Ne nuk do të ndalemi deri në rrëzimin e Ramës. Do të vijojmë me frontin e dytë. Nëse shtatorja e Hoxhës u rrëzua pas vitit ’90, ai kishte vdekur pesë vite më parë. Nuk duhet të pranojmë kurrë një kufomë politike në pushtet; duhet ta largojmë atë me çdo kusht.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)