Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, duke i cilësuar ato si një kërcënim jo vetëm për një shtet sovran, por për stabilitetin dhe paqen në të gjithë Lindjen e Mesme.
Në një postim në platformën X, Rama shkruan se “sulmet e verbra dhe të dëshpëruara të Republikës Khomeiniste kundër Emirateve të Bashkuara Arabe nuk janë thjesht një sulm ndaj një kombi sovran, por ndaj vetë idesë që Lindja e Mesme mund të përkufizohet nga paqja dhe bashkëpunimi, dhe jo nga lufta dhe kaosi”.
Kreu i qeverisë shqiptare thekson se shënjestrimi i Dubait me “raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi” tregon natyrën e regjimit në Teheran, të cilin e përshkruan si një sistem që eksporton dhunë dhe përdor terrorin kundër fqinjëve që kërkojnë paqe.
Rama vlerëson Emiratet e Bashkuara Arabe si një simbol global të promovimit të paqes, dialogut, dinamizmit ekonomik dhe bashkëjetesës ndërfetare, duke theksuar se ato përfaqësojnë modelin e një Lindjeje të Mesme moderne dhe të orientuar drejt zhvillimit.
Ai shpreh solidaritetin e plotë të Shqipërisë me udhëheqjen dhe popullin e Emirateve, duke theksuar se siguria në Gjirin Persik është një imperativ global. Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë me qartësi dhe unitet ndaj agresionit shtetëror dhe sulmeve me raketa ndaj mjediseve civile.
Rama nënvizon se e ardhmja e rajonit duhet të ndërtohet mbi bashkëpunim dhe integrim ekonomik, duke vlerësuar rolin e presidentit Mohammed bin Zayed Al Nahyan në drejtimin e Emirateve si një “fener stabiliteti dhe progresi”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)