Mungesa e Elisa Spiropalit në seancën parlamentare, ku mazhoranca votoi kundër dhënies së autorizimit tek SPAK për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, është kthyer në një çështje për Partinë Socialiste.
Fillimisht, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla tha gjatë ditës se do të ketë një mbledhje për të diskutuar mungesën e Spiropalit, duke theksuar se s’ka ende një vendim penalizues ose jo për ish-ministren e Jashtme.
“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, tha Balla pasi u pyet nga gazetarët në një konferencë për mediat.
Disa orë pas deklaratës së Ballës, Spiropali përmes një postimi në rrjetet sociale i drejtohet kreut të grupit parlamentar, duke i kërkuar një mbledhje, me theksin tek rëndësia e konsultimit dhe vendimmarrjes së përbashkët.
“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë”, shprehet ajo.
Spiropali nënvizon më tej se vendimmarrja kolektive është një element kyç për funksionimin e grupit parlamentar të PS-së dhe për legjitimitetin politik të vendimeve.
“Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr. Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut."
Një javë më parë për këtë episod u pyet në konferencën për mediat edhe kryeministri Edi Rama.
Gazetarët i kërkuan shefit të qeverisë një shpjegim për mungesën në sallë të 3 deputetëve socialistë Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja, teksa vendosej për imunitetin e Ballukut dhe ai u shpreh se nuk është çështje e tij, por detyrë e kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla që të mësojë arsyet.
“Për prezencën në votim, nuk merrem unë me këtë punë. Është kryetari i grupit, është detyrë e tij që ka detyrë të dëgjojë dhe të kuptojë arsyet e mungesave”, tha Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)