30 km me një litër benzinë, motori i ri që sfidon tranzicionin drejt makinave elektrike

Një element shtesë që rrit qëndrueshmërinë është karburanti Repsol Nexa 95, i cili nuk përftohet nga nafta, por nga mbetje bujqësore dhe vajra të përdorur.

17.02.2026. 23:02

30 km me një litër benzinë, motori i ri që sfidon tranzicionin drejt makinave elektrike

Industria europiane e automobilave nuk ka ndërmend të heqë dorë nga motorët me djegie të brendshme. Përkundrazi, markat e mëdha po investojnë sërish në zhvillimin e pistonëve dhe cilindrave më efikasë, me synimin për të ulur konsumin dhe emetimet. Kjo ndodh në një kohë kur kalimi drejt makinave plotësisht elektrike po rezulton më i ngadaltë se sa pritej.

Divizioni HORSE, një bashkëpunim mes Renault dhe Geely, ka prezantuar motorin e ri H12 Concept. Bëhet fjalë për një motor 1,2 litra me tre cilindra, i aftë të funksionojë me benzinë 100% të rinovueshme. Motori bazohet te HR12, i cili përdoret aktualisht në modele si Dacia Duster, Dacia Bigster dhe Renault Clio.

Falë përditësimeve teknike, efikasiteti termik ka arritur në 44,2%, një nga nivelet më të larta në segmentin e tij. Sipas të dhënave të homologimit, motori konsumon 3,3 litra për 100 kilometra, që përkthehet në rreth 30 kilometra me një litër benzinë. Ky është një rezultat që e rendit ndër teknologjitë më premtuese në Europë për motorët me djegie të brendshme. Ky brez i ri motorësh do të pajisë hibridet e ardhshme të markave Renault dhe Geely.

Prototipet e para kanë dalë tashmë nga fabrika HORSE në Valladolid të Spanjës, ndërsa prodhimi në seri pritet të nisë së shpejti. Sipas kompanisë, ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt dekarbonizimit të transportit, pa kërkuar investime të mëdha në infrastrukturë të re dhe pa hequr dorë nga prakticiteti i motorit tradicional. Një element shtesë që rrit qëndrueshmërinë është karburanti Repsol Nexa 95, i prodhuar nga Repsol, i cili nuk përftohet nga nafta, por nga mbetje bujqësore dhe vajra të përdorur.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)