Pak orë pasi Delta Force amerikane e arrestoi së bashku me bashkëshorten Cilia Flores gjatë një sulmi masiv në Karakas, për Nicolas Maduron është ngritur një padi në Nju Jork, ku pritet edhe të të dalë në gjyq.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA, Pam Bondi e konfirmoi së fundmi se Maduro dhe Flores janë paditur në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.
“Së shpejti ata do të përballen me gjithë ashpërsinë e drejtësisë amerikane, në tokën amerikane dhe në gjykatat amerikane. Në emër të gjithë Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, do të doja të falënderoja Presidentin Trump për guximin që tregoi duke kërkuar llogaridhënie në emër të popullit amerikan, si dhe një falënderim të madh për ushtrinë tonë trime që kreu misionin e jashtëzakonshëm dhe shumë të suksesshëm për kapjen e këtyre dy trafikantëve të dyshuar ndërkombëtarë të narkotikëve”, shkroi ajo në ‘X’.
Sakaq, ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino, tha pak më parë se forcat e armatosura janë dislokuar në vend, duke dënuar atë që e cilësoi “barbaria e amerikanëve”.
“Autoritetet po marrin në konsideratë të plagosurit dhe të vdekurit pas goditjeve amerikane në orët e para të mëngjesit”, deklaroi ai më tej, duke nënvizuar se Forcat e Armatosura të Veneuelës tashmë janë dislokuar plotësisht për një “mbrojtje integrale të kombit”.
“Populli venezuelian ka qenë objektivi i agresionit më kriminal nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deri tani, barbaria e forcave pushtuese ka përdhosur tokën tonë të shenjtë në zonat e Tiuna-s në Karakas dhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira, duke goditur me raketa dhe predha të lëshuara nga helikopterë luftarakë në qendra urbane të banuara nga civilë. Për këtë ngjarje, ne tashmë po bëjmë bilancin e të plagosurve dhe të vdekurve.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)