Presidenti Trump vazhdon me kërcënimet e tij drejtuar liderëve në Amerikën e Jugut, pavarësisht se operacioni në Venezuelë, përveç mbështetjes pati dhe kritika të shumta për shkelje të ligjeve ndërkombëtare.
Në një intervistë për gazetarët në bordin e Air Force One, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka sulmuar dhe presidentin e Kolumbisë, Gustavo Pedro, duke e cilësuar atë një prodhues narkotikësh, të cilat shiten në Shtetet e Bashkuara.
“Kolumbia është gjithashtu shumë e sëmurë, e drejtuar nga një njeri i sëmurë, të cilit i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara, dhe nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë”, tha Trump.
Presidenti gjithashtu foli dhe për ushtarët amerikanë që u plagosën në operacionin për arrestimin e Maduros, duke thënë se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, lideri kolumbian, Gustavo Pedro ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Trump duke i cilësuar ato si shpifje. Ai shton se ka punuar me përkushtim për të luftuar trafikun e drogës.
“Ndaloni së shpifuri, emri im nuk shfaqet në asnjë rast trafikimi droge. Si komandant suprem i forcave të armatosura, për të luftuar trafikimin e drogës, urdhërova sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë botërore. Kam besim të madh te populli im dhe për këtë arsye i kam kërkuar popullit të mbrojë presidentin nga çdo akt i paligjshëm dhune kundër tij", theksoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)