Tensionet mbi politikat e ashpra të emigracionit të administratës së Presidentit Donald Trump u rritën ndjeshëm, pas incidentit të dytë me armë zjarri që përfshiu oficerët federalë brenda dy ditësh.
Ngjarjet kanë thelluar përçarjet mes autoriteteve shtetërore dhe atyre federale, si dhe kanë nxitur protesta në disa qytete të mëdha.
Në Minesota, protestat u intensifikuan pas vrasjes së Renee Nichole Good, 37 vjeçe, e cila u qëllua për vdekje nga një oficer i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave.
Autoritetet federale thanë se Good u përpoq të shtypte agjenten me makinë, ndërsa zyrtarët shtetërorë dhe aktivistët kundërshtuan këtë version, duke theksuar se pamjet video nuk e mbështesin plotësisht pretendimin. Hetuesit e Minesotës u ankuan se u përjashtuan nga hetimi federal dhe për këtë arsye u tërhoqën nga procesi.
Ndërkohë, në Portland të Oregonit, një agjent i Patrullës Kufitare qëlloi dhe plagosi një burrë dhe një grua gjatë një incidenti të ngjashëm.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se shoferi tentoi të përdorte automjetin si armë, ndërsa autoritetet lokale thanë se nuk mund ta verifikonin menjëherë versionin federal dhe bënë thirrje për qetësi.
Kryetarë bashkish dhe guvernatorë demokratë kërkuan tërheqjen e oficerëve federalë nga qytetet e tyre, duke i cilësuar operacionet si provokuese dhe të panevojshme.
Në Minneapolis, qindra protestues u mblodhën duke akuzuar oficerët federalë për dhunë dhe duke kërkuar drejtësi, ndërsa disa përplasje çuan në përdorimin e gazit lotsjellës dhe sprajit me piper.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, vendosi Gardën Kombëtare në gatishmëri për shkak të rrezikut të trazirave civile. Ndërkohë, polemikat mbi përdorimin e forcës vdekjeprurëse dhe juridiksionin mes autoriteteve shtetërore dhe federale vazhdojnë të dominojnë debatin publik në SHBA.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)