Një histori e denjë për filmat hollivudianë është ajo e 35-vjeçares amerikane Carrie Richins, e cila në vitin 2022 i mori jetën bashkëshortit të saj, duke e helmuar, në mënyrë që të përfitonte një kompensim prej 3.6 milionë dollarësh dhe një vit më vonë shkroi një libër për fëmijë me narrativën e ndërtuar rreth vdekjes së tij dhe pikëllimit që po përjetonte.
Richins doli sot para trupës së gjqtarëve në Utah të SHBA-ve, ku ju komunikua aktakuza. Sipas prokurorëve të çështjes, 35-vjeçarja, e cila ishte agjente pasurish të paluajtshme, vendosi një dozë vdekjeprurëse fentanili në pijen që përgatiti për bashkëshortin e saj 39-vjeçar me pretekstin e shitjes së një prone.
Siç raportohet, kjo ishte hera e dytë që ajo ishte përpjekur ta helmonte atë, pasi disa javë më parë ajo e kishte hedhur opioidin edhe në një sanduiç.
Ajo kishte pohuar pas arrestimit se pasi ia kishte çuar pijen burrit të saj, kishte rënë në gjumë në shtratin e të birit sepse po shihte makthe, dhe kur u kthye në dhomën e gjumit të çiftit, e gjeti Eric të pajetë.
Sipas prokurorisë, nëna 35-vjeçare e tre fëmijëve ishte në një situatë të vështirë financiare në kohën e vrasjes dhe motivi i saj ishte të vriste burrin e saj për të marrë sigurimin e jetës së tij dhe pasurinë e tij prej 3.6 milionë dollarësh.
Dosja e çështjes përshkruan gjithashtu se 35-vjeçarja ishte në një lidhje me një nga zejtarët me të cilët punonte, Robert Grossman, të cilit dyshohet se i dërgoi një mesazh një ditë pas përpjekjes së parë për të vrarë burrin e saj, duke i shkruar "nëse Eriku do të mund të largohej... jeta do të ishte perfekte".
Një javë para helmimit fatal, ajo i dërgoi atij një mesazh në të cilin shkruante: “Jeta do të jetë ndryshe, të premtoj! Më prit deri të premten".
Richins u arrestua në maj 2023, me prokurorët që ngritën ndaj saj 26 akuza vitin e kaluar në një rast të veçantë të krimeve financiare të lidhura me vrasjen.
Por ajo çka habiti togat e zeza dhe hetuesit ishte fakti se rreth një vit pas krimit, 35-vjeçarja botoi një libër me figura për fëmijë të titulluar: "A je me mua?".
Siç tha ajo në një emision televiziv një muaj para arrestimit të saj, vdekja e Erikut "na tronditi të gjithëve”.
“Ne kemi tre djem të vegjël, 10, 9 dhe 6 vjeç, dhe unë dhe fëmijët e mi shkruam këtë libër rreth emocioneve të ndryshme dhe proceseve të zisë që kemi përjetuar gjatë vitit të kaluar. Libri iu kushtua bashkëshortit tim të mrekullueshëm dhe babait tim të mrekullueshëm", rrëfeu 35-vjeçarja.
Libri, i cili shitej me pakicë për 14.99 dollarë dhe u tërhoq nga Amazon pas arrestimit të Richins, u përshkrua si "lexim thelbësor për çdo fëmijë që ka përjetuar dhimbjen e humbjes dhe për prindërit që duan t'u japin fëmijëve të tyre mbështetjen emocionale që u nevojitet për t'u shëruar dhe për t'u rritur".
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)