Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ndarë detaje nga takimi i tij në Francë me presidentit Emnanuel Macron.
Kurti bisedoi me liderin francez për misionin e KFOR dhe për synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe në institucionet e tjera evropiane.
Në njoftimin e ndarë për mediat, kryeministria bën me dije se Kurti-Macron biseduan dhe për situatën e sigurisë, marrëdhëniet me fqinjët dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Në takim u diskutua për integrimet dhe sigurinë në Evropë. Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, shkruhet në njoftim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)