Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka shpallur një tjetër rritje të pagës minimale në vend, duke e çuar atë në 920 euro në muaj. Vendimi përfaqëson një shtesë prej 40 eurosh krahasuar me vitin e kaluar dhe pritet të sjellë një përfitim vjetor të konsiderueshëm për punonjësit.
Kjo është hera e gjashtë që paga minimale rritet që nga viti 2022 në Greqi, ndërsa në total, që nga viti 2019, rritja arrin në mbi 40%. Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te paga bazë, por prekin edhe skemat e vjetërsisë në punë, pagat në administratën publike si dhe disa përfitime të tjera sociale.
Sipas Mitsotakis, në një periudhë sfidash ekonomike dhe zhvillimesh globale, ruajtja e stabilitetit të brendshëm mbetet thelbësore për forcimin e pozitës së vendit. Ai theksoi se prioritet duhet të jetë fokusimi te çështjet më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm.
Rritja e re do të hyjë në fuqi më 1 prill dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë që synon ta çojë pagën minimale në 950 euro deri në vitin 2027. Autoritetet nënvizojnë se të rinjtë nën 30 vjeç pritet të përfitojnë më shumë, falë lehtësive fiskale dhe përjashtimeve nga disa taksa.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)