Kriza politike në Kosovë, Kushtetuesja rrëzon dekretin e Osmanit, 34 ditë për të zgjedhur Presidentin

Kushtetuesja thekson se deputetët kanë në dispozicion 34 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi për të zgjedhur presidentin e ri të vendit dhe nëse kjo nuk ndodh brenda këtij afati, Kuvendi do të shpërndahet automatikisht.

25.03.2026. 18:03

Kriza politike në Kosovë, Kushtetuesja rrëzon dekretin e Osmanit, 34 ditë për të zgjedhur Presidentin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik.

Në aktgjykimin e publikuar të mërkurën, Kushtetuesja thekson se deputetët kanë në dispozicion 34 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi për të zgjedhur presidentin e ri të vendit dhe nëse kjo nuk ndodh brenda këtij afati, Kuvendi do të shpërndahet automatikisht.

Sipas vendimit, pas shpërndarjes së Kuvendit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Ky zhvillim vjen pasi më 6 mars presidentja Osmani kishte nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në seancën e 5 marsit. Megjithatë, Kushtetuesja fillimisht e kishte pezulluar përkohësisht këtë dekret deri më 31 mars, duke ndaluar çdo veprim të mëtejshëm lidhur me të.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit ishte dorëzuar nga kryeministri Albin Kurti në emër të qeverisë.

Vendimi i fundit i Kushtetueses hap një afat të ri për zgjidhjen e situatës politike, ndërsa lë të hapur mundësinë e zgjedhjeve të reja në rast se nuk arrihet konsensus për zgjedhjen e presidentit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)