Tensionet mes Hungarisë dhe Ukrainës janë përshkallëzuar në fushën energjetike, pasi kryeministri hungarez, Viktor Orbán, paralajmëroi ndërprerjen graduale të furnizimit me gaz për Kievin.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Orban deklaroi se kjo masë vjen si reagim ndaj bllokimit të rrjedhës së naftës ruse përmes tubacionit Druzhba, i cili sipas tij ka qenë jashtë funksionit për 30 ditë.
“Për sa kohë që Ukraina nuk na furnizon me naftë, ajo nuk do të marrë gaz nga Hungaria”, tha Orban.
Ai shtoi se gazi i destinuar për Ukrainën do të depozitohet në rezervat hungareze, ndërsa akuzoi Kievin për cenimin e sigurisë energjetike të vendit të tij.
“Gazi që do të dërgohej në Ukrainë do të ruhet në objektet hungareze, duke pasur parasysh se Ukraina po sulmon gjithashtu tubacionin jugor të gazit që furnizon Hungarinë”, u shpreh ai, duke iu referuar linjës TurkStream që transporton gaz rus përmes Turqisë dhe Ballkanit.
Kryeministri hungarez theksoi se vendimi synon mbrojtjen e interesave kombëtare dhe stabilitetit ekonomik.
“Ne do të mbrojmë sigurinë energjetike të Hungarisë, çmimin e mbrojtur të benzinës dhe çmimet e reduktuara të gazit”, deklaroi Orban.
Në vijim, ai shtoi se Hungaria ka arritur deri tani të përballojë presionet nga Ukraina në këtë drejtim.
“Ne kemi qenë në gjendje të mbrohemi me sukses kundër shantazhit ukrainas falë skemës së çmimeve të mbrojtura”, tha ai, duke theksuar se qytetarët hungarezë përfitojnë nga çmimet më të ulëta të karburanteve në Evropë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)